Prefektura e Qarkut Korçë organizoi mbledhjen e Sekretariatit Teknik të Emergjencave Civile, me pjesëmarrjen e përgjegjësve të Emergjencave Civile dhe shefave të MZSH-ve të bashkive Korçë, Pogradec, Maliq, Devoll, Kolonjë dhe Pustec, si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë dhe Drejtorisë Rajonale të OST Korçë.
Takimi u zhvillua në kuadër të masave të marra për menaxhimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut për zjarre në territorin e Qarkut Korçë.
Gjatë mbledhjes u bë një vlerësim i situatës së krijuar deri tani, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve dhe strukturave vendore raportuan mbi situatat e menaxhuara gjatë kësaj periudhe, problematikat e evidentuara dhe masat e ndërmarra për përballimin e situatave të mundshme emergjente në vijim të sezonit veror.
Në fokus të diskutimeve ishin:
-Rritja e nivelit të gatishmërisë dhe kapaciteteve operacionale.
-Forcimi i monitorimit dhe mbikëqyrjes së territorit.
-Funksionimi efektiv i sistemit të sinjalizimit dhe njoftimit të hershëm.
-Marrja e masave për parandalimin dhe kufizimin e përhapjes së zjarreve.
-Garantimi i një ndërhyrjeje sa më të shpejtë dhe të koordinuar.
-Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave vendore dhe institucioneve përgjegjëse.
U theksua rëndësia e parandalimit, reagimit të shpejtë dhe koordinimit të përbashkët, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës, mjedisit dhe territorit nga çdo situatë e mundshme emergjente.
Prefektura e Qarkut Korçë do të vijojë monitorimin e pandërprerë të situatës, si dhe koordinimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, për të garantuar gatishmëri të plotë dhe një reagim të shpejtë, profesional dhe efektiv gjatë gjithë sezonit veror.

