59 ditë në shesh. Dhe ndjej një emocion dhe besim se nuk jam këtu për të bërë zhurmë. Jam këtu për të zgjuar ndërgjegje.
Nuk jam sorrë dhe as korb, siç shumë pushtetarë që atdheu nuk i njeh më, na janë drejtuar. Fatmirësisht jam një djalë nga Pogradeci, i rritur në një familje që më mësoi se dinjiteti nuk negociohet, se padrejtësia nuk pranohet dhe se heshtja përballë së keqes është bashkëfajësi. Pikërisht për këtë arsye jam në shesh prej 59 ditësh. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk do të tërhiqem asnjë moment.
Kushdo që mendon se kjo është një fazë, një revoltë e momentit apo një betejë që do të shuhet me kalimin e ditëve, gabon rëndë. Ky nuk është vetëm zemërim por është bindje se Shqipëria meriton të jetë e lirë një herë e mirë!
Nuk po protestojmë vetëm për Tiranën. Po protestojmë për çdo cep të Shqipërisë ku njerëzit janë detyruar të ulin kokën. Për çdo qytet që është lënë pas dore. Për çdo familje që ka humbur shpresën. Për çdo të ri që është detyruar të zgjedhë aeroportin në vend të së ardhmes.
Po dal edhe për Pogradecin tim. Për një qytet që meriton më shumë sesa premtimet, më shumë sesa harresa. Po dal për qytetet që janë zbrazur nga rinia, sepse një sistem i vjetër politik na ka vrarë besimin se mund të ndërtojmë jetën këtu.
Ky sistem nuk ndryshon vetvetiu. Ai nuk rrëzohet me ankesa në kafene, me komente në rrjete sociale apo me heshtje. Ai ka nevojë për ne, madje sot më shumë se kurrë! Mos e lemë në asnjë moment atë!
Mos prisni që dikush tjetër ta bëjë në vendin tuaj. Historia nuk është shkruar kurrë nga ata që kanë pritur. Është shkruar nga ata që kanë patur guximin të dalin përpara.
Ne jemi brezi që ka më shumë për të humbur nëse hesht dhe më shumë për të fituar nëse lufton. Është koha që rinia të marrë në dorë fatin e këtij vendi dhe t’i japë fund një sistemi politik të vjetëruar që prej dekadash ushqehet me frikën, apatinë dhe dorëzimin e qytetarëve.
Nuk luftojmë nga urrejtja. Luftojmë nga dashuria për vendin tone.
Mjaft është mjaft, sepse jemi lodhur‼️

