Çelja dhe mbarëvajtja e sezonit turistik, parandalimi i zjarreve dhe lufta kundër kultivimit të narkotikëve kanë qenë në fokus të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Publike në Pogradec, ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit vendor, strukturave të rendit dhe shëndetësisë.
Gjatë takimit, kryebashkiaku Ilir Xhakolli ngriti shqetësimin për situatën e krijuar në Doganën e Qafë Thanës. Sipas tij, sistemi i ri “One Stop Shop” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili ende kryhet në dy sisteme të ndryshme nga palët, po shkakton radhë të gjata dhe pritje, sidomos për vizitorët që vijnë drejt Pogradecit. Kjo çështje është adresuar nga kryebashkiaku pranë organeve kufitare, ndërsa pritet një zgjidhje përmes unifikimit të sistemeve të dy palëve.
Në prag të nisjes së sezonit turistik, Xhakolli theksoi se në bregliqenin e Pogradecit sipërfaqen më të madhe vijojnë ta zënë plazhet publike, të cilat edhe këtë vit do të jenë me çadra falas. Gjithashtu, do të vijojë të funksionojë edhe plazhi për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa operatorët ekonomikë janë pajisur me lejet përkatëse.
Deri tani, 50 operatorë ekonomikë janë pajisur me lejet për stacionet e plazheve private, ndërsa 5 të tjerë janë në pritje. Në zonën kryesore të plazhit vijon të ruhet raporti 40% plazhe publike dhe 60% plazhe private, ndërsa në plazhet e tjera ky raport është më i lartë në favor të publikut.
Përveç sezonit turistik, në tryezë u diskutua edhe lufta kundër prodhimit të narkotikëve. Për Pogradecin nuk janë evidentuar raste të prodhimit të kanabisit, megjithëse janë përcaktuar zonat e riskut. Në fokus të Këshillit të Sigurisë Publike ishte gjithashtu edhe siguria ndaj zjarreve dhe masat parandaluese.

