Policia e Korçës ka njoftuar fillimin e procedimit penal ndaj tre shtetasve, të përfshirë në raste të dhunës dhe vjedhjes.
Sipas të dhënave zyrtare, është proceduar penalisht shtetasi B. M., 61 vjeç, banues në Korçë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatës së tij. Viktima është pajisur menjëherë me urdhër mbrojtjeje.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit A. A., 64 vjeç, banues në Korçë, i cili dyshohet se ka vjedhur një televizor në banesën e një 74-vjeçari.
Ndërkohë, ka përfunduar në ndjekje penale edhe një 17-vjeçar, pasi dyshohet se ka goditur me grushta një 15-vjeçar, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

