Ripërjetimi i trashëgimisë kulturore dhe përçimi i saj tek brezat e rinj është fokusi i ‘Lin Festival’ i cili mbahet për të tretin vit radhazi në fshatin piktoresk të Linit.
Sipas Altin Tila organizator i këtij festivali qëllimi është jo vetëm argëtimi i banorëve dhe vizitorëve por edhe përçimi i vlerave të trashëgimisë tek brezat e rinj.
“ Fokusi I këtij viti janë të rinjtë. Transmetimi I vlerave dhe I trashëgimisë sonë etnokulturore janë pikërisht këta të rinjtë. Duke sjell modele suksesi, duke sjell artistë të realizuar që gjithçka në karrierë e kanë arritur fal aftësive të tyre dhe ne po mundohemi të japim modele për vlera të vërteta që ne mbartim
Drejtor i Kulturës Bashkia Pogradec, Eritan Kamolli u shpreh se, “Të gjithë banorët e Pogradecit dhe sidomos vizitorët që vijnë në fshatin Lin do të mbeten shumë të kënaqur nga kjo iniciativë.“
Për artistët performues në këtë festival, Lini mbetet jo vetëm një destinacion që duhet vizituar por edhe një vend që përcjell në të gjitha dimensionet e tij historinë e lashtë të tij.
Tenori Adhurim Grezda, theksoi se “ I sugjeroj gjithë vizitorët që dëshirojnë të njohin sa më shumë histori, fshati Lin është një prej tyre që ja vlenë që të vizitohet.
Kantautori Adhurim Demiri vlerësoi faktin se si një fshat me një histori të jashtëzakonshme duhet të vazhdojë dhe të bëhet traditë ky festival.
Lin Festival ka mbledhur me qindra banorë dhe turistë të huaj gjatë organizimit të tij të cilët pushojnë në fshatin e konfirmuar tashmë si vendbanimi më i vjetër në Europë./RTSH

