Voskopoja në gjurmët e Thethit? Rritje e ndërtimeve dhe lidhje të dyshuara politike në qendrat turistike malore
Voskopoja, një nga destinacionet më të njohura dhe historike malore në juglindje të Shqipërisë, po përballet me një valë të re ndërtimesh që ngre shqetësime për fatin e saj urban dhe natyror. Në një postim në rrjetet sociale, gazetari Armand Braho ka ngritur alarmin se vetëm në katër vitet e fundit në Voskopojë janë ndërtuar mbi 30 vila të reja, ku, sipas tij, të gjithë pronarët kanë lidhje të forta me drejtues politikë të PS-së në Korçë.
“A do ta ketë Voskopoja fatin e Thethit?”, pyet Braho në reagimin e tij, duke e krahasuar situatën me zhvillimet e diskutueshme në Theth, ku ndërtime të shumta pa kontroll urbanistik dhe në mungesë të infrastrukturës së përshtatshme kanë sjellë dëme të konsiderueshme në peizazhin dhe identitetin natyror të zonës.
Sipas denoncimit të tij, ndërtimet në Voskopojë vijojnë pa ndalur, pavarësisht mungesës së një plani të qartë rregullues dhe në kundërshtim me frymën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe peizazhit të mbrojtur. Fotot e publikuara, të realizuara në korrik 2025, tregojnë një transformim të qartë të fizionomisë së fshatit, me struktura të reja që duken jashtë natyrës tradicionale arkitekturore të zonës.
Ngjashmëritë me rastin e Thethit ku institucionet shtetërore ndërhynë vonë për të frenuar ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur e bëjnë më të domosdoshëm një reagim të menjëhershëm nga autoritetet vendore dhe qendrore, për të shmangur një tjetër precedent të shkatërrimit të turizmit malor tradicional në emër të interesave klienteliste.
Banorë të zonës dhe ekspertë të trashëgimisë kanë ngritur prej kohësh shqetësime për mungesën e kontrollit institucional dhe rrezikun që Voskopoja, me historinë e saj të pasur dhe arkitekturën e rrallë, të humbasë identitetin në një lumë betoni që avancon çdo vit. Ndërkohë, nga autoritetet lokale dhe qendrore nuk ka ende asnjë reagim zyrtar për këtë situatë.

