Shkruan Armand Braho: Dëshpërimisht, aktet e dhunës, shantazhit, kërcënimit dhe intimidimit kundrejt gazetarëve janë bërë pothuaj përditshmëri në vendin tonë kohëve të fundit. Akte të tilla kryhen nga njerëz të paskrupullt, të cilët i tremben fjalës së lirë dhe të vërtetës që bart gazetaria.
Sot solidarizohem me kolegun Pirro Nase, i cili është bërë viktimë e kërcënimeve, dhe i bashkohem thirrjes së çdo punonjësi të medias që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht, e autori të vihet përpara përgjegjësisë.
Megjithatë, alarmante mbetet sjellja e autoriteteve që në shumicën e rasteve zgjedhin të qëndrojnë indiferente përballë këtyre marionetave anti-fjalë të lirë. Veçanërisht shqetësues është fakti se prokurorë dhe gjyqtarë bëhen bashkëfajtorë duke amnistuar agresorët nëpërmjet “dekriminalizimit” të veprimeve të tyre.
Por kjo situatë duhet të marrë fund! Fokusi tashmë duhet të jetë tek institucionet e drejtësisë, të cilat me vendimet e tyre amnistuese, po e dhunojnë sërish median dhe gazetarët. Vetëm gjatë muajve të fundit numërohen me dhjetëra raste të cenimit të gazetarëve në krye të detyrës, ndërkohë që e ardhmja nuk premton aspak se ky trend do të zbehet, nëse institucionet nuk reagojnë me forcë, proporcionalisht ndaj dhunës dhe agresionit të autorëve të këtyre veprave.

