Këtë të hënë kanë nisur aplikimet për skemat mbështetëse në bujqësi.
Sipas informacioneve, në total janë hapur 8 skema, por më e kërkuara mbetet skema e naftës.
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit fermerët po përballen me vështirësi të shumta, për shkak të kërkesave shtesë në dokumentacion.
Shumë aplikantë janë kthyer mbrapsht, pasi nuk kanë qenë të informuar për ndryshimet.
Sipas përgjegjëses së sektorit të shërbimit, këtë vit të gjithë aplikuesit, qoftë me çertifikatë pronësie, apo me AMTP, janë të detyruar të paraqesin skicat për çdo parcelë që zotërojnë.
Ndërkohë, një tjetër kusht i ri është furnizimi me faturë blerjeje të inputeve bujqësore, si: farat, plehrat apo pesticidet.
Edhe pse fermerët shprehen të shqetësuar për procedurat e reja në lidhje me dokumentacionin, zyrtarët bëjnë të ditur se aplikimet do të vijojnë deri në fund të muajit maj – një periudhë e mjaftueshme për të kryer të gjitha veprimet që kanë mbetur pezull për shkak të mangësive në dokumentacion.

