Nga Eduart Bardhushi
EDITORIAL/ Korça voton, por kush e dëgjon Korçën?
Në Korçë, zgjedhjet nuk janë më ngjarje demokratike – janë rituale të parashikueshme, të drejtuara nga një kastë që e ka kthyer pushtetin në monopol emocional, mediatik dhe institucional.
Dhe ndërsa Partia Socialiste rreshton fjalët si “zhvillim”, “transformim”, dhe “vizion”, banorët rreshtohen për të ikur, dikush diku në rrugët e Gjermanisë, dikush diku në call-center-at e Tiranës, sepse Korça e vërtetë nuk ka vend në Korçën e Niko Peleshit.
Unë jam Eduart Bardhushi, gazetar dhe drejtues i Korça Plus TV – një media që nuk i mbyll sytë, nuk i lëpihet pushtetit dhe nuk harrohet nga qytetarët.
Kemi ngritur zërin, kemi publikuar çfarë të tjerët fshijnë, kemi transmetuar realitetin e një qyteti që merret peng çdo katër vjet nga një makineri propagande.
Një makineri që ngre flamuj, e lyen fasada, por nuk lë vend për pyetje, e aq më pak për përgjigje…
Nuk është e lehtë të bësh opozitë në një qytet ku çdo zyrë, çdo bashkiak, çdo drejtor e çdo karrige është kthyer në zgjatim të partisë, e megjithatë, ka ende njerëz që ngrihen e flasin të kundërtën, sepse nuk pranojnë heshtjen dhe për këtë, meritojnë respekt, jo përçmim.
Niko Peleshi ka zgjedhur të jetë gjithçka për të gjithë: ministër, menaxher i qytetit, kurator i fasadave, e herë-herë edhe filozof elektoral.
Por çfarë nuk është, është pikërisht ajo që qyteti ka nevojë: një lider që dëgjon, jo vetëm flet por që shërben.
Korça ka nevojë për garë, për zëra, për debat, për zgjedhje që janë reale, jo të porositura si dekor skenik dhe nëse ka ende pak dritë në këtë terr informativ, është sepse disa prej nesh – gazetarë, qytetarë, opozitarë të ndershëm – nuk kemi pranuar të jemi pjesë e shfaqjes.

