Editorial nga Armand Braho: PS: Hip se të vrava, PD-PL: Zbrit se të vrava! Kujt duhet t’i shërbejnë “banaqet mediatike”?
Në këtë arenë dramatizmi tragjik të rënieve apo ngritjeve mbi apo nën karriget e partive të kthyera në gjithnjë e më të vogla, ku lufta e klasave dhe ajo ndaj armiqve zhvillohet brenda dhe jashtë gjirit partiak, shpeshherë habitem kur plas lufta për ngritjen e alibive, në nakatinë kolektive të një populli kokëulur e të “bindur”. Ndonjëherë më duket me vend të pyes: Pse ngrihen këto alibi? Çfarë fshihet pas tyre? Deri kur dhe kë do të shpëtojnë këto alibi?
Në mejdanin lokalist, ku opozitarizmi lokal zgjohet vetëm për të sulmuar kritikën ndaj keqfunksionimeve dhe nuk bën asnjë hap për të shigjetuar kundërshtarët politikë, por hap fronte të reja të pakuptimta, aspak strategjike dhe pa asnjë dobi elektorale, përsëri më lind pyetja: Pse pikërisht shpërqendrohet diskursi politik tek armiqtë e krijuar, të cilësuar si “banaqe mediatike”? Përse sulmohen mediat që, në fakt, i kanë bërë nder opozitës vetëm me ekzistencën e tyre, duke kryer shpesh detyrën që vetë opozita duhet ta kishte bërë?
Nuk arrij ta kuptoj pse ajo që duhet të interpretohej si reflektim në të mirën e opozitës dhe interesave të qytetarëve, konsiderohet si sulm që dëmton. “Nuk e duan mendimin ndryshe!”
Me përgjegjësi të plotë e them se këto “banaqe mediatike”, që sot konsiderohen si shërbëtorë të pushtetit, janë po të njëjtat që kanë qenë në shënjestër të sulmeve nga pushteti, ndërkohë që opozita nuk reflektonte. Janë po të njëjtat media që nuk kanë kursyer asnjë fenomen, as të bardhën e as të zezën pa e denoncuar, detyrë që duhej ta kishin bërë vetë platformat partiake. Madje janë këto media që janë bërë streha e vetme e atyre që çdo derë tjetër ua mbylli për shkak të interesave politike dhe klanore, Peleshjan dhe Xhakolljan. Në asnjë rast këto media nuk i kanë shërbyer pushtetit; përkundrazi, kanë qenë gjithmonë në shënjestrën e tij.
Krijimi dhe ngritja e alibive po shndërrohet në sindromë gjithnjë e më shumë në opozitën e madhe dhe të vogël të qarkut. Dikush duhet të marrë përsipër fajin apo përgjegjësinë për çdo disfatë, që nuk e uroj dhe as që e dua, por në fund nuk mbetet në dorën time. Kohët e fundit, kjo frymë po vihet re edhe brenda PD-së së Pogradecit, jo vetëm tek aleatët, ku shpesh dëgjojmë që njëri apo tjetri nuk po e përkrah “Shqipërinë Madhështore” me postime apo “like” në rrjete sociale, a thua se fitorja apo humbja varen nga rrjetet sociale. Kjo ndodh ndërkohë që në listën e “Shqipërisë Madhështore” në qarkun e Korçës ka njerëz që nuk bëjnë as minimumin e fushatës për veten e tyre, as online.
Këshilla në këtë moment është shumë e thjeshtë: “Këshillat e thëna nën zë, që nuk reflektohen dhe që më pas përsëriten publikisht, i shërbejnë vetëm atij që këshillohet!” Klanet dhe tempujt politikë rrëzohen shumë lehtë, nëse energjia dhe strategjia orientohen drejt tyre, dhe jo duke luftuar mediat, të cilat për të majtën janë “shashka” dhe për të djathtën akuzohen si të majta.