Pas daljes së lajmit që Kryebashkiaku Duro është marrë i pandehur nga SPAK, ka ardhur dhe reagimi i Bashkisë Devoll, ku në një zyrë deklaratë nga zyra e shtypit thuhet:
“Përshëndetje, kolegë! Lidhur me lajmin që sapo është publikuar, po ju vëmë në dispozicion autorizimin që është dhënë nga ana e Bashkisë Devoll për karburantin. Autorizimi është lëshuar nga Drejtoria e Tatim-Taksave, konform ligjit. Në këtë rast, nga ana e kryetarit të Bashkisë, Eduard Duro, është firmosur autorizimi, duke përmbushur detyrën në përputhje me përgjegjësitë e një kryetari bashkie. Nga ana e palës tjetër është bërë denoncim se ky dokument nuk duhej t’i jepej subjektit “Genci Petrol”, por në këtë rast autorizimi është dhënë sipas ligjit. Faleminderit.”
Ndërkaq vetë kryebashkiaku ka mohuar se ka shkelur ligjin, ndërsa procedura në fjalë është zhvilluar konform ligjit dhe procedurave.
Eduard Duro : Sektori i tatim taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit “Genci Petrol”.
Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjala për shpërdorim detyre por për detyrë të plotësuar në kushtet e një kryetari bashkie.



