Problemet me pronësinë dhe aksesin në tokat bujqësore vijojnë të shkaktojnë tensione në disa zona të vendit. Banorët e fshatit Taç i Poshtëm në Kolonjë kanë reaguar publikisht për bllokimin prej vitesh të një rruge që, sipas tyre, u pengon hyrjen në tokat e tyre bujqësore.
Në një deklaratë të shpërndarë nga faqja lokale “Taçi i Poshtëm Kolonjë”, banorët shprehen se rruga që çon drejt rreth 20 hektarëve tokë, përfshirë edhe zonën e njohur si “13 hektarshi” dhe Varishta, ka rreth dy vjet që është e mbyllur.
Sipas tyre, situata ka krijuar vështirësi të mëdha në punimin e tokës dhe aksesin në zonat bujqësore, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve vendore.
“Rruga për në 13 hektarshin dhe për te Fieri i Muhametit në Varishtë ka dy vite që është e kyçur. Ne i bëjmë thirrje bashkisë, policisë dhe prefektit të qarkut që të marrin masa sa më shpejt dhe të hapet rruga për te depoja e helmit në Varishtë,” thuhet në reagim.
Banorët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa, ata do të ndërhyjnë vetë për zgjidhjen e situatës, duke hequr pengesat fizike që, sipas tyre, kanë bllokuar aksesin në tokat e tyre.
“Ne në të kundërt do ta zgjidhim vetë dhe do i heqim telat siç po i heq gjithë Shqipëria,” thuhet më tej në deklaratë.
Çështja pritet të tërheqë vëmendjen e institucioneve vendore, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për një problem që sipas tyre ka zgjatur prej kohësh pa ndërhyrje konkrete.

