Korça çel sezonin veror me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit
Korça ka hapur zyrtarisht sezonin veror me edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavalit, një nga ngjarjet më të dashura dhe më të ndjekura të qytetit. Rrugët dhe sheshet e Korçës u mbushën me ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive, duke mirëpritur qindra qytetarë dhe vizitorë vendas e të huaj.
Në këtë edicion morën pjesë trupa artistike nga Greqia, Rumania, Serbia, Polonia, Italia dhe Arbëreshët, të cilët sollën kulturën, traditat dhe kreativitetin e tyre, duke e kthyer qytetin në një skenë të madhe feste ndërkombëtare.
Drejtoresha e Kulturës, Blerta Belliu, u shpreh se Karnavalet e Korçës vijnë çdo vit më të pasura dhe më të bukura, duke theksuar pjesëmarrjen e shtatë trupave të huaja dhe angazhimin e grupeve tradicionale e atyre të reja të qytetit.
Atmosfera festive nisi që në orët e paradites, ku grupet pjesëmarrëse parakaluan në bulevardet kryesore të qytetit.
Kulmi i festës ishte parada madhështore e pasdites e cila nisi nga Lëndina e Lotëve dhe përshkoi rrugët kryesore të Korçës. Për herë të parë në festival morën pjesë edhe gra të diasporës shqiptare nga Athina, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë.
Pjesëmarrësit e huaj vlerësuan organizimin dhe atmosferën e krijuar në qytet. Përfaqësues të grupit të karnavaleve nga Leskovaci i Serbisë treguan se kostumet e tyre simbolizonin zogjtë dhe lirinë, duke përcjellë një mesazh pozitiv mbi mirësinë dhe bashkëjetesën.
Sinkron:-
Ndërkohë, artistë të Teatrit “Andon Zako Çajupi” interpretuan personazhe të ndryshme simbolike. Një prej pjesëmarrëseve, e veshur si personifikim i stinës së dimrit, u shpreh se emocionet më të bukura i përjeton kur fëmijët afrohen për të bërë fotografi me personazhet e karnavalit.
Festimet vijuan deri në orët e vona në Pazarin e Vjetër, ku qytetarët dhe turistët shijuan muzikë live dhe performanca artistike.
Karnavalet shënojnë nisjen e një sezoni të pasur veror në Korçë, i cili do të vijojë me aktivitete të rëndësishme si Korça Moto & Rock Festival, Lumina Electronic Festival, Korça Beer Fest, Korça Serenades dhe shumë evente të tjera që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet më të preferuara turistike të verës në Shqipëri.

