99-vjetori i mjeshtrit Koço Qendro u shënua me një vlerësim të veçantë, duke iu akorduar titulli “Ambasador i Qarkut”, në nder të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.
Në këtë ditë të veçantë, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Korçë zhvilluan një vizitë në shtëpinë e aktorit, për të uruar nga afër një prej figurave më të spikatura të artit skenik shqiptar.
Koço Qendro mbetet një histori e gjallë e teatrit dhe kinematografisë korçare e shqiptare, një artist me përmasa të mëdha dhe qytetar i nderuar, që ka përcjellë ndër vite vlera të çmuara artistike dhe njerëzore.
I lindur në Senicë të Delvinës, ai mori pjesë që në rini si partizan në luftën në qarkun e Korçës. Në fillim të viteve 60 u dallua si aktor i Estradës së Maliqit dhe më pas iu bashkua trupës së teatrit të Korçës, duke mos iu ndarë më skenës për dekada me radhë. Përmes roleve dhe interpretimit të tij unik, ai i dha teatrit dhe filmit shqiptar personazhe të paharrueshme.
Edhe pse në moshë të thyer, Koço Qendro vazhdon të mbetet i lidhur ngushtë me artin dhe kujtimet e viteve të arta të skenës shqiptare.
Titulli “Ambasador i Qarkut” vjen si një shenjë mirënjohjeje dhe respekti për një artist stoik, që i ka dhënë identitet dhe dinjitet skenës shqiptare për më shumë se gjysmë shekulli.

