Një protestë paqësore, e thirrur disa ditë më parë nga përfaqësues të shoqërisë civile, u zhvillua këtë të hënë në qytetin e Korçës në lidhje me situatën e krijuar pas rrëshqitjes dhe bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, segment kyç që lidh Korçën me Tiranën.
Pjesëmarrja në tubim ishte e ulët, me një numër të kufizuar qytetarësh të pranishëm. Në sy ra mungesa pothuajse e plotë e bizneseve, të cilat, megjithëse konsiderohen ndër më të prekurat nga bllokimi i rrugës, nuk ishin të përfaqësuara në protestë.
Organizatorët theksuan se tubimi synon të përcjellë një mesazh për institucionet përgjegjëse, duke vënë në dukje se situata e krijuar prej gati 10 ditësh ka izoluar juglindjen e vendit dhe ka sjellë pasoja të menjëhershme ekonomike dhe sociale. Sipas tyre, bllokimi i aksit ka kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka rritur kostot e transportit dhe ka vështirësuar qarkullimin e mallrave.
Sektori i turizmit, transportit dhe tregtisë renditet ndër më të goditurit nga kjo situatë. Devijimi i qarkullimit në aksin alternativ ka shtuar vështirësitë e lëvizjes dhe rrezikun për drejtuesit e mjeteve, për shkak të kushteve më të vështira të rrugës.
Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë përmirësimi i menjëhershëm i aksit alternativ, ndërhyrja për hapjen sa më të shpejtë të segmentit të bllokuar dhe marrja e masave lehtësuese ekonomike për bizneset dhe qytetarët e prekur.

