Familja Hyskollari në qytetin e Pogradecit jeton çdo ditë nën frikën e rrezikut, për shkak të gjendjes së amortizuar të godinës ku banon. Bëhet fjalë për ish-godinën e Gjeologjisë, ku pas çdo stuhie reshjesh, uji depërton në banesë, duke dëmtuar tavanet dhe muret.
Sipas familjes, situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, ndërsa banesa është kthyer në një rrezik real për jetën. Zonja e shtëpisë Kimete Hyskollari shprehet se çdo herë që bie shi, uji hyn brenda, duke e bërë të pamundur një jetesë normale dhe të sigurt.
Familja thekson se nuk ka mundësi të ndërhyjë për rikonstruksion, pasi tek objekti 4 katërsh dy katet e sipërme janë në pronësi të Bashkia Pogradec, çka e bën çdo ndërhyrje të pamundur pa veprim institucional.
Sipas tyre, problematika është bërë e ditur edhe më herët pranë Bashkisë Pogradec, përmes një kërkese zyrtare emergjente, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për të garantuar sigurinë e familjeve që jetojnë në këtë objekt.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se situata nuk mund të presë më dhe se çdo vonesë shton rrezikun për pasoja më të rënda.

