Prefektura e Qarkut Korçë njofton se, sipas raportimeve të bashkive, disa segmente rrugore në zonat rurale vijojnë të jenë të bllokuara, si pasojë e kushteve të vështira të motit dhe problematikave në terren.
Konkretisht, mbeten ende të pakalueshme rrugët që lidhin fshatrat Zall Torrë, Slabinje, Malinë dhe Dunicë. Sipas Prefekturës, situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave civile, në koordinim me pushtetin vendor.
Ndërkohë, për segmentin rrugor në fshatin Mesmal, ku janë evidentuar rrëshqitje dherash, si dhe për segmentin në Lozhan i Lartë, ku po kryhen punime, autoritetet bëjnë me dije se pritet të hapen për qarkullim brenda pak orësh.
Prefektura thekson se akset kombëtare dhe akset turistike në territorin e Qarkut të Korçës janë të hapura dhe të qarkullueshme normalisht, ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe rrugët dytësore.

