Përkujtojmë sot 126-vjetorin e lindjes së një nga figurave më të shquara të poezisë shqipe, Llazar Gusho – Lasgush Poradeci.
I lindur në Pogradec më 27 dhjetor 1899, ai u dallua për poezitë lirike të thella, ku ndërthuren ndjenja e dashurisë, meditimi filozofik dhe përshkrimi i natyrës. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Liceun Francez të Athinës, ku u njoh me kulturën klasike dhe moderne europiane. Studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e filologjisë dhe filozofisë, çka ndikoi ndjeshëm në formimin e tij intelektual.
Një pjesë të rëndësishme të jetës e kaloi në Bukuresht, ku u përfshi në rrethet letrare dhe botoi veprat e tij më të njohura poetike, si “Vallja e yjeve” (1933) dhe “Ylli i zemrës” (1937). Në këto vepra trajtohen tema universale si dashuria, jeta, bukuria e natyrës dhe mendimi metafizik.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Poradeci iu përkushtua kryesisht përkthimit, duke sjellë në shqip vepra të autorëve të mëdhenj europianë. Me libra si “Kamadeva” dhe “Eskursioni teologjik i Sokratit”, ai dëshmoi dimensionin e tij filozofik dhe metafizik.
Krijimtaria e Lasgush Poradecit përfaqëson një etapë të rëndësishme në zhvillimin e poezisë shqipe të shekullit XX dhe mbetet një pasuri e çmuar e kulturës sonë kombëtare.

