Mbrëmjen e 26 dhjetorit, Galeria e Artit Digjital në Korçë u mbush me tinguj dhe emocione nga Kori i të rinjve “Zë+”, i cili solli para publikut një performancë të veçantë artistike.
Zërat e të rinjve u bënë një i vetëm, duke krijuar një harmoni plot energji dhe ndjeshmëri, ku muzika u shndërrua në gjuhën e përbashkët të shpirtit. Ishte një mbrëmje ku zëri mori formën e dritës dhe interpretimet përcollën frymën festive, duke emocionuar të pranishmit.
Aktiviteti, i zhvilluar në orën 19:00, u prit me interes dhe duartrokitje nga publiku, duke e kthyer këtë koncert në një tjetër moment të bukur kulturor për qytetin e Korçës.

