Zyra Vendore Arsimore Pogradec ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për katër mësues që kanë përmbyllur rrugëtimin e tyre profesional dhe kanë dalë në pension: Shaqir Çela, Irena Laçka, Mimoza Guxholli dhe Hanëme Çela.
Për vite me radhë, ata kanë qenë pjesë aktive e arsimit në Pogradec, duke kontribuar në formimin e brezave të tërë nxënësish përmes përkushtimit, durimit dhe dashurisë për dijen. Kontributi i tyre ka lënë gjurmë jo vetëm në procesin mësimor, por edhe në edukimin qytetar dhe vlerat që u janë përcjellë nxënësve ndër vite.
Në mesazhin e saj, Zyra Vendore Arsimore Pogradec thekson se trashëgimia e këtyre mësuesve vijon të jetojë përmes sukseseve të nxënësve dhe ndikimit pozitiv që ata kanë pasur në komunitet.
Në përfundim, Zyra Arsimore u uron mësuesve shëndet të mirë, qetësi dhe gëzim në këtë kapitull të ri të jetës, duke i falënderuar për kontributin e çmuar në arsimin dhe shoqërinë pogradecare.





