Nga Fitim Zekthi:
Po shoh në media që policia e Pogradecit ka ndaluar Kevi Muçllarin. Ndalimi ka ndodhur pas një sherri të ndodhur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, ku Kevi përfaqësonte banorët e zonës së Çërravës, të cilëve Këshilli Bashkiak kërkon t’u marrë një pjesë të tokës. Këtu ka dy gjëra shumë të ulëta dhe të papranueshme. Pushteti, Këshilli Bashkiak dhe policia e përdorin pushtetin jo për t’i mbrojtur njerëzit por t’i ndaluar, dhunuar madje dhe vjedhur në shumë raste. E kundërta duhet të jetë. Pushteti nuk është i Këshillit dhe i policisë por i njerëzve dhe ka për qëllim që të mbrojë njerëzit. Policia në Pogradec, dhe kudo, por shumë shpesh në Pogradec, është një polici e poshtër që mbron të fortin dhe pushtetin dhe rreh madje edhe vret të dobëtin. Nuk e kuptoj se si është e mundur që këto gjëra ndodhin kaq hapur dhe kaq trashë dhe nuk ndërhyn drejtori i përgjithshëm i policisë (i cili duket se ka po mendësinë që duhet rrahur i dobëti dhe mbrojtur trafikanti apo pushteti). Si nuk ndërhyn as kryetari i bashkisë, as deputetët e Pogradecit, as Ministria e Brendshme e me radhë. Vihet re një frymë e dhunshme, gati fashiste nga pushteti kudo. Policia, bashkia, funksionarë të shtetit sillen për turpin e tyre si të fortë me të dobëtit. Në Shkodër një kryetar bashkie mesa duket i mangët nga trutë heq tabelat me mbishkrime (të cilat ai duket se i urren) nga oborret private. Gjeja e dytë dhe e ulët në rastin e Kevi Muçllarit është se ai, Kevi, është një djalë, është një njeri që nuk prek një mizë, nuk ka mundësi qenia e tij në gjithë tërësinë e vet të shajë, fyejë, dhunojë asgjë. Kam pasur fatin ta kem student dhe madje të kem qenë udhëheqësi i tij i punimit të masterit. Një përkushtim aq serioz dhe aq të lartë për punimin nuk e gjen lehtë. Një kërkim aq të kujdesshëm për punimin nuk e gjen lehtë. Një punë aq të hollë dhe një sjellje aq të përkorë nuk e gjen lehtë, gati nuk e gjen fare. Të ndalosh Kevin se medemek ka ushtruar dhunë do të thotë ose je hajvan, injorant dhe je jashtë botës ose je vegël e verbër dhe pa moral. Lirojeni ore derëzinj atë çun se ky akt ju ndihmon të bëheni edhe vetë sadopak të lirë.

