Korça u mbush me ritme, ngjyra dhe energji në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore “Air Beat Festival – LULU FEST”, një ngjarje që po kthehet në simbol të gëzimit dhe bashkimit për qytetin.
Atmosfera festive kulmoi mbrëmjen e dytë, ku bandat pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës ndezën skenën me performanca plot pasion, ritëm dhe virtuozitet. Tingujt e instrumenteve frymore pushtuan bulevardet e Korçës, ndërsa publiku, me duartrokitje e kërcim, u bë pjesë e çdo note.
Momenti më emocionues i mbrëmjes erdhi në fund, kur të gjitha bandat u bashkuan në skenë për të kënduar së bashku këngën “Dua më shumë Shqipërinë” – një mesazh dashurie, paqeje dhe uniteti që preku zemrën e çdo të pranishmi.
Edicioni i parë i “LULU FEST” tregoi se Korça di të krijojë magji sa herë që bashkohen arti, pasioni dhe komuniteti. Një fillim i bukur që premton të kthehet në një traditë të re ndërkombëtare muzikore, ku muzika frymore sjell bashkim dhe gëzim për të gjithë.

