Në kuadër të 94-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, Bashkia Devoll organizoi një aktivitet kulturor në shkollën e fshatit Menkulas, vendlindjen e poetit.
Në këtë ditë të veçantë, nxënësit e shkollës sollën përmes poezive, këngëve dhe valleve kujtimet e gjalla për figurën e Dritëroit, duke e kthyer shkollën në një skenë plot art e emocion.
Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Devoll, miq të poetit, mësues e banorë të zonës, të cilët nderuan kontributin e Agollit në letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, theksoi se kjo ditë është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme për bashkinë, duke u shndërruar në një festë të krahinës së Devollit.
“Si çdo 13 tetor, Bashkia Devoll organizon një aktivitet kulturor në kuadër të ditëlindjes së poetit dhe shkrimtarit të madh të Devollit, Dritëro Agolli. Jo vetëm i Devollit, por i gjithë Shqipërisë e mbarë kombit. Është një aktivitet që organizohet nga Qendra Kulturore e Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me të gjitha shkollat e kësaj bashkie. Është dita që ne e kemi si festë të kësaj krahine, festën e zonës së Devollit, pasi ai është jo vetëm korifeu i letrave shqipe, por edhe ai që na identifikon ne në rang kombëtar e ndërkombëtar.”
Ndërsa miqtë e Dritëroit, si Endri Fifo, kujtuan figurën e tij si njeri të thjeshtë, filozof të fjalës dhe njohës të rrallë të folklorit shqiptar.
“Sot është ditë e shënuar për krahinën e Devollit dhe për gjithë Shqipërinë, sepse është ditëlindja e të madhit Dritëro Agolli, e njeriut të letrave, e devolliut të këngës, të valles, filozofit të poezisë popullore dhe poezisë lirike qytetare. Dritëroi mbetet një nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare, sepse në të gjithë historinë e tij, shpirti i tij i ka kënduar popullit të tij, Devollit tonë të dashur. Unë kam pasur fatin të njihem me Dritëroin dhe të komunikoj në fushën e folklorit, sepse Dritëroi ishte një arkivë e gjallë e folklorit shqiptar, duke njohur këngën jo vetëm të Devollit, por të të gjitha trevave shqiptare.”
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës “Devolli”, Guri Seferi, njoftoi se puna për ngritjen e shtëpisë-muze të Dritëro Agollit në Menkulas ka ecur përpara dhe pritet të përfundojë për 95-vjetorin e lindjes së tij, vitin e ardhshëm.
“Sot, jo vetëm unë si kryetar i Shoqatës ‘Devolli’, por edhe të gjithë anëtarët e shoqatës, e gjithë krahina e Devollit dhe mbarë kombi shqiptar janë të gëzuar. Sot ne jemi faktikisht në momentin që godina për muzeun e Dritëro Agollit është ngritur si karabina dhe në përvjetorin e 95-të që do të shënojmë vitin tjetër, ne do të jemi bashkërisht të gjithë për ta vizituar shtëpinë-muze. Ajo shtëpi do të ketë vlerë të madhe, të shtuar për krahinën dhe për kombin shqiptar. Në atë shtëpi do të përjetohet Dritëroi, sepse për ne ai është i gjallë dhe mes nesh, duke na dhënë orientime. Sot, në këtë 94-vjetor të ditëlindjes së tij, që përkon me muajin e Letërsisë, ne kemi filluar aktivitetet me promovime librash dhe pamja e parë që kemi është Dritëro Agolli.”
Me recitime, këngë dhe valle kushtuar poetit, Menkulasi dëshmoi edhe një herë se Dritëroi mbetet i gjallë në kujtesën e brezave dhe në shpirtin e kësaj krahine, që ai vetë e ngriti në vargje të pavdekshme.

