Paqartësia aktuale e opozitës (të paktën pjesës më të madhe të saj) na nxjerr sheshit disa nga problemet kryesore me të cilat përballet ajo. Së pari, lidhur me PD-në, duhet thënë se ajo nuk arrin të gjenerojë forcë morale, e nevojshme për të sfiduar regjimin, sic e quan. Kjo shpërfaqet më së miri në ngurrimin e disa prej figurave kryesore të PD-së lidhur me kandidimin në zgjedhjet për kryetar bashkie. Është thellësisht paradoksale të shohësh sesi figurantët e PD-së nuk duan të kandidojnë në bashkinë kryesore të vendit. Shenjë e mjaftueshme për të treguar se PD-ja nuk shihet as nga të vetët si forca që do të udhëheqë vendin drejt ndryshimit. Partia e sakrificave të dhjetorit, është shndërruar në partinë e ruajtjes së privilegjeve. Së dyti, lidhur me partitë e reja opozitare, është e nevojshme të qartësohet profili I tyre. Para se të jenë parti kompromisesh, duhet të jenë parti aspiratash. Do të ishte e udhës që t’I artikulojnë sa më thukët kauzat e tyre, dhe mundësisht të kenë një ligjërim adekuat për sfidat me të cilat përballet shoqëria. Fjala vjen, cfarë domethënë të jesh një parti antisistem? Të gjitha këto parti janë krijuar si të tilla, dhe padashur kur tentojnë të bëjnë kompromise gërryejnë besueshmërinë e një pjesë të madhe të shoqërise. Nuk mendoj se është detyrimisht e gabuar të bësh kompromis – në politikë madje është mencuri -, por artikulimi I kauzës antisistem, kur ballafaqohet me idenë e kompromisit rrezikon të delegjitimojë të rinjtë. Kësisoj, nevojitet të qartësohet ideja e antisistemit, cfarë domethënë konkretisht? Pa I ezauruar këto dilema, opozita nuk mund të shndërrohet në faktorin më të rëdësishëm dhe mw të besueshëm.

