Mema largohet nga KF Pogradeci, por kush e ndërtoi këtë skuadër?
Sipas portalit kategoritë.e.shqipërisë, Ardian Mema është larguar nga drejtimi i skuadrës pas një takimi që stafi dhe lojtarët kanë zhvilluar me presidentin e klubit në Tiranë, lidhur me paraqitjet e fundit të ekipit. Pas mbledhjes, palët janë ndarë me mirëkuptim, dhe tashmë Pogradecit i duhet të gjejë një trajner të ri.
Por a është problemi te trajneri, apo te diçka më e thellë në klub? Kjo është pyetja që po diskutohet në opinionin sportiv të qytetit.
Sezoni i kaluar tregoi se, pas një nisjeje të dobët dhe shkarkimit të Samuel Nikajt, ardhja e Memës solli stabilitet dhe identitet në lojën e skuadrës. U aplikua skema 4-3-3, me pasime të shkurtra, një stil tipik për futbollin pogradecar dhe ekipi arriti deri në finalen e “play-off”-it, ku u mund minimalisht 1-0 nga Tirana. Një arritje që duhet konsideruar sukses për klubin.
Por sot, situata duket ndryshe.
Në merkaton verore u larguan disa lojtarë të rëndësishëm si Shkulaku, Berberi, Hysenllari dhe Alidema, etj.. emra që për vite kanë mbajtur peshën e fanellës. Në vend të tyre u afruan futbollistë më pak të njohur ose disa me përvojë të madhe, por që duken në fundin e karrierës së tyre.
Kush i afroi këta lojtarë? A ishte një zgjedhje e trajnerit, apo produkt i ndonjë vendimmarrjeje tjetër në klub? Kjo mbetet e paqartë për publikun sportiv.
Në çdo rast, është e drejtë të theksohet se faji për ecurinë e ekipit nuk mund të bjerë vetëm mbi trajnerin. Sidomos kur flitet për një skuadër që llogaritet ndër më të paguarat në Kategorinë e Parë. Në këtë kuadër, kërkimi i llogarisë dhe analiza duhet të përfshijë të gjithë strukturën drejtuese, jo vetëm stolin.

