Në Pogradec, monopatinat elektrike janë kthyer në një mjet të zakonshëm lëvizjeje, sidomos për fëmijët dhe adoleshentët. Ato nuk janë më vetëm argëtim buzë shëtitores pranë liqenit, por përdoren çdo ditë si mjet transporti, shpesh pa asnjë masë sigurie dhe pa asnjë kontroll të rregullave të qarkullimit.
Në shumicën e rasteve, drejtuesit e monopatinave janë të mitur. Shihen të lëvizin pa kaska, pa jelekë reflektues dhe shpesh me pasagjerë pas shpine. Për shumë prindër ato janë thjesht “lodra moderne”, por në realitet janë mjete motorike që përballen çdo ditë me qarkullimin e automjeteve, autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë.
Aksidenti i fundit ku u përfshinë dy të mitur të cilët u dëmtuan lehtë në Pogradec është vetëm një nga rastet që dëshmon rrezikun. Fëmijët, në mungesë të rregullave të qarta dhe hapësirave të dedikuara, janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj trafikut.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur monopatinat shihen në rrugët interurbane. Një prezencë e shtuar është vënë re në aksin Pogradec–Qafë Plloçë, rrugë e re kombëtare ku qarkullojnë mjete me shpejtësi të lartë. Pamja e adoleshentëve që lëvizin me monopatina mes automjeteve të shpejta është bërë një realitet i rrezikshëm për sigurinë e tyre dhe për drejtuesit e tjerë të mjeteve.
Aktualisht mungon një kuadër ligjor i qartë që përcakton qartësisht se ku mund të lëvizin monopatinat dhe cilat janë kushtet e përdorimit. Policia rrugore apelon për kujdes, por në terren fenomeni po rritet dhe masat janë të kufizuara. Ndërkohë, asnjë infrastrukturë e dedikuar (si korsitë e biçikletave) nuk ekziston për këto mjete në Pogradec.
Në një qytet turistik si Pogradeci, ku lëvizjet janë të shumta sidomos gjatë verës, monopatinat duhen parë jo thjesht si një trend i ri, por si një problem real i sigurisë publike. Pa ndërhyrje konkrete, rregulla, edukim dhe kontrolle, monopatinat mund të kthehen nga mjet argëtimi në burim aksidentesh fatale./Pogradecipress.al

