Në qytetin e Bilishtit u zhvillua aktiviteti “Dita e Trashëgimisë Kulturore në Devoll”, i organizuar nga Bashkia Devoll në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Pedonalja e qytetit u kthye në një hapësirë ekspozite, ku u shfaqën veshje popullore tradicionale, punime artizanale dhe gatime të zonës, duke sjellë para publikut pasuritë materiale dhe shpirtërore të krahinës.
Një vend të veçantë në këtë festë zuri pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të Bilishtit dhe njësive përreth. Ata prezantuan punime artizanale, gatime tradicionale dhe objekte të trashëguara nga familjet e tyre, duke treguar se brezi i ri është i gatshëm të bëhet ambasador i ruajtjes dhe promovimit të kulturës lokale.
Aktiviteti solli në vëmendje larminë e traditave devollite, ku përveç artizanatit dhe kulinarisë, u vu në dukje edhe pasuria folklorike e zonës. Vallja devolliçe, e konsideruar si emblemë dhe thesar i krahinës, u përmend si një prej elementëve më të spikatur të identitetit kulturor të Devollit.
Organizatorët theksuan rëndësinë e kësaj dite, e cila është shndërruar në një festë kombëtare që nga viti 2003, duke pasur në themel mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerave të saj. Angazhimi i të rinjve këtë vit i dha aktivitetit një dimension më të gjerë, duke u dhënë atyre rolin e bartësve të traditës për brezat që vijnë.
Aktiviteti u përmbyll në një atmosferë festive, mes muzikës, valleve dhe ekspozitave, duke i dhënë qytetit një ditë krenarie dhe mesazhin e qartë se trashëgimia kulturore është pasuria më e madhe për të forcuar identitetin dhe për ta përcjellë atë brez pas brezi.

