Në brigjet e liqenit të Ohrit, aty ku uji i kaltër takon gurët e bardhë e të latuar nga koha, shtrihet fshati turistik i Linit, një prej perlave më të çmuara të Shqipërisë juglindore. Ky fshat i vogël e i qetë, me rrugica të ngushta, shtepi prej guri dhe një peizazh që të merr frymën, është shndërruar në një prej destinacioneve më të preferuara të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Zbulimet e fundit arkeologjike, të cilat tregojnë se Lini është një prej vendbanimeve më të vjetra në Evropë, i kanë dhënë një tjetër dimension këtij fshati. Jo më thjesht një strehë pushimi buzë liqenit, por një dëshmi e gjallë e historisë së lashtë, ku vizitorët gërshetojnë bukurinë natyrore me të shkuarën mijëravjeçare. Mozaiku paleokristian në kodër, i cili tërheq çdo ditë dhjetëra turistë, është vetëm një nga gurët e çmuar të trashëgimisë kulturore që ruan Lini.
Turistët e huaj tregojnë se vijnë për disa ditë në Lini, për të shijuar qetësinë, klimën e freskët dhe ushqimet tradicionale. Ata e përshkruajnë si një vend ku koha duket se ecën më ngadalë, duke u dhënë mundësinë të shijojnë detajet nga bukët e sapopjekura në shtëpitë e fshatit deri tek peshku i freskët i liqenit.
“Unë quhem Robert dhe vij nga Hollanda. Në maj ishim për muajin e mjaltit në Maqedoni, ndërsa tani kemi zgjedhur të qëndrojmë në Lin për një javë. Dje mbërritëm vonë, por sot e parë me dritën e diellit, Lini është mahnitës. Mengjesi që provuam në shtëpinë ku flemë ishte i shkëlqyer, dhe mezi presim të shijojmë gatimet e tjera tradicionale. Patjetër do të vizitojmë edhe mozaikun në kodër”, – thotë ai, me një buzëqeshje të ngrohtë që flet vetë për kënaqësinë e këtij udhëtimi.
Një tjetër vizitor, Xhohanisi nga Gjermania, ndan përvojën e tij të veçantë:
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Sot e nisëm ditën ndryshe, duke ndihmuar fshatarët në mbledhjen e rrushit. Ishte një eksperiencë që nuk e harroj. Ky është një vend shumë i veçantë, me njerëz të ngrohtë. Po bëjmë një udhëtim në të gjitha vendet e Ballkanit dhe Shqipëria ishte një ndër ndalesat tona. Dje vizituam Pogradecin dhe manastirin përtej kufirit, ndërsa për darkë provuam tavën e kosit – ishte e mrekullueshme, edhe pse e nxehtë,” – rrëfen ai me humor.
Ndërkohë, Beatri, një turiste tjetër nga Gjermania, shpreh entuziazmin e saj:
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Ne po qëndrojmë në kamp dhe është fantastike. Ky vend është i mrekullueshëm, shumë natyral dhe i paprekur. Kemi provuar disa nga gatimet tradicionale dhe na kanë pëlqyer shumë. Shqipëria është më e bukur nga sa mund ta imagjinoja,” – thotë ajo.
Por jo vetëm të huajt. Vizitorët nga Tirana gjithashtu tregojnë se sa tërheqës është ky fshat i vogël. Për ta, Lini është një kombinim i kulturës, historisë dhe natyrës, një vend ku mund të gjesh paqen që shpesh mungon në jetën e përditshme të qytetit.
Burime nga Bashkia e Pogradecit bëjnë me dije se aktualisht në Lin janë në funksion rreth 15 hotele dhe bujtina, me kapacitet prej 150 shtretërish. Ky numër, i kombinuar me bukurinë e natyrës dhe trashëgiminë kulturore, bën që fshati të ketë potencial për tërheqjen e vizitorëve gjatë gjithë vitit, në katër stinët.
Parcelat, rrugicat që zbresin drejt liqenit, shtëpitë e gurta me çati të kuqe, gjithçka në Lin i ngjan një pikture të gjallë që e bën turistin të ndalet dhe të marrë frymë thellë. Për shumëkënd, është vendi ku koha pushon, por kujtimet nuk harrohen./Pogradecipress.al

