Edhe pse sipërfaqja e mbjellë me kulturën e misrit në vend këtë vit ka qenë rreth 5% më e madhe se një vit më parë, prodhimi ka shënuar një rënie të ndjeshme, me mbi 20% më pak. Shkak janë bërë faktorë të jashtëm, kryesisht kushtet klimatike dhe mungesa e inputeve cilësore bujqësore.
Aktualisht, Shqipëria prodhon rreth 310 mijë ton misër, ndërkohë që nevojat kombëtare kalojnë mbi 410 mijë ton. Ky bilanc tregon se mungesa do të duhet të mbulohet nga importi, duke rritur varësinë e tregut vendas nga produktet e huaja.
Sipas ekspertit Konstandin Hajkola, misri i prodhuar brenda vendit ka të paktën 2% më shumë proteinë krahasuar me atë të importit, çka përkthehet në shtesë më të mirë të cilësisë së mishit dhe vezëve për çdo ton të konsumuar. Por mungesa e prodhimit vendas dhe domosdoshmëria e importit pritet të ndikojnë negativisht te sipërmarrjet e mëdha bujqësore e blegtorale. Kjo nënkupton se barra do të rëndojë mbi konsumatorin, i cili do të paguajë më shumë për produktet dhe nënproduktet e blektorisë, si mishi, bulmeti dhe vezët.
Ndërkohë, i pyetur për problematikën e stokut të drithërave, zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, është shprehur se tregu funksionon mbi parimin e kërkesë-ofertës, dhe se fermerët duhet të përshtaten me kërkesat e tij për të qenë më konkurrues.
Për të ndihmuar fermerët në zgjedhjen e kulturave që japin më shumë prodhim, Qendra e Transferimit të Teknologjive Shkodër ka zhvilluar për disa vite me radhë në zonën e Maliqit parcela eksperimentale me misër. Këto iniciativa synojnë të shërbejnë si model për kultivimin e varieteteve më produktive, duke rritur rendimentin dhe sigurinë ushqimore në vend.

