Edhe këtë vit qendra shëndetësore verore ka funksionuar prej 1 qershorit në qytetin e Pogradecit dhe ka pritur një numër të lartë turistësh dhe vendasish, të cilët gjatë pushimeve të tyre janë hasur me probleme shëndetësore.
Elona Katiraj, drejtoreshë e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Pogradec, tregon se rreth 4 mijë vizita janë kryer deri në këto momente pranë kësaj qendre.
Mjekja e qendrës shëndetësore verore tregon se grupmosha më e shpeshtë që ka marrë shërbim është kryesisht mosha e tretë, e cila në shumë raste ka shmangur edhe fatalitetin pas ekzaminimit paraprak nga mjekët dhe infermierët e kësaj qendre. Simptomat me të cilat pacientët janë paraqitur në këtë qendër verore kanë qenë hipertensioni, alergjitë, pickimet, reaksionet dhe virozat e ndryshme.
Qendra shëndetësore verore vjen për të disatin vit në qytetin liqenor, duke ofruar ndihmë kryesisht për pushuesit në zonën e plazhit në Pogradec.

