Korçë– Arrestohet nga Policia e Vlorës, Operacionalija e Drejtorisë së Përgjithshme dhe Policia e Korçës, autori i dyshuar i ngjarjes në Sarandë, i akuzuar për plagosjen e dy personave. I prangosuri është Ramadan Zoto, 43 vjeç, që gjatë një sherri më 17 korrik të këtij viti në lagjen nr. 3 të Sarandës, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, plagosi me armë zjarri të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.
Sipas burimeve jane sekuestruar disa armë zjarri, ndërsa ka edhe persona të tjerë të shoqëruar. Zoto është lokalizuar në zonën e Korçës ditën e sotme, teksa lëvizte me një makinë “Audi” dhe ndërhyrja ishte e befasishme, mes bashkëpunimit të tre sektorëve të policisë. Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se forcat e policisë kanë bllokuar një mjet tip “Audi”, duke nxjerrë një nga personat në mjet. Mësohet se ka edhe të tjerë të shoqëruar. Më herët, më 20 korrik, ishte arrestuar një tjetër i dyshuar për krimin, Artan Murtaj, 43 vjeç, nga Policia e Sarandës, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat e dyshuar të shpallur në kërkim në plagosjen me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.

