Ngjarja e dhunës së ushtruar ndaj një të moshuari në fshatin turistik Tushemisht, ku u proceduan penalisht babë e bir, ka marrë përmasa më të gjera pas reagimit publik të vetë viktimës, 70-vjeçarit Niko Gjiriti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjiriti ka hedhur akuza të rënda ndaj autorëve dhe ka denoncuar një klimë të papranueshme intimidimi dhe abuzimi me pushtetin lokal.
Sipas tij, personat që e kanë goditur janë punonjësi i Bashkisë Pogradec, Visiol (Petrit) Llakmani dhe babai i tij, Petrit Llakmani. Ai deklaron se dhuna ka ndodhur në ambientet e godinës së tij, pas një përplasjeje që ka lindur si pasojë e zënies së një sipërfaqeje toke, për të cilën ai kishte shprehur kundërshtim. “Më kërcënuan me jetë, me mënyrën e të fortëve të fshatit Tushemisht,” – shkruan ai, duke shtuar se ngjarja është pasqyruar si “drogaçinjtë që godasin poetin”.
Gjiriti e cilëson këtë ngjarje si një shfaqje të papranueshme të dhunës dhe abuzimit me detyrën nga zyrtarë të bashkisë, duke i bërë thirrje institucioneve të reagojnë: “Denoncimi në polici le t’i shërbejë edhe funksionarëve të bashkisë për të pastruar institucionin nga kuadro të padenjë për t’i shërbyer komunitetit.”
Ndërkohë, Policia e Pogradecit ka bërë me dije se ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal për dy autorët e dyshuar, për goditje për shkak të konflikteve të natyrës civile. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

