Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë 23-vjeçarin G. T., banues në Korçë, pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga Gjykata e Korçës për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërkohë, në fshatin Voskop, policia referoi materialet në Prokurori për 66-vjeçarin G. M., i cili dyshohet se nga pakujdesia ndezi zjarr. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq shpallën në kërkim 29-vjeçarin E. B., banues në Pirg, pasi u kallëzua nga një 36-vjeçare, e cila pretendoi se ai kishte hyrë në oborrin e banesës së saj pa pëlqim.
Gjithashtu, policia bëri të ditur edhe gjetjen e shtetasit A. B., 70 vjeç, nga Liboniku, i cili ishte raportuar i larguar nga banesa për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Ai u gjet dje pasdite në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu dorëzua familjarëve.
Materialet procedurale për të gjitha rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme ligjore.

