E votuat? Tani mbajeni dhe mbylleni gojën…
Nga: Eduart Bardhushi
Me urdhër “të shenjtëruar” nga lart, Bashkia Korçë nis nga puna!
Pedonalja që dikur pulsonte si zemra e ekonomisë lokale, do të shndërrohet në një shesh bosh, pa zë, pa jetë e pa kuptim.
Tavolinat jashtë? Jo më. Bizneset që gjeneronin punësim, turizëm dhe gjallëri? Zhdukuni!!!
Por çfarë do kemi tani? Një shesh bosh, ku do të dëgjosh vetëm zhurmat e hapave të ndonjë turisti të hutuar që se kupton dhe se percepton se pse qyteti është kaq i heshtur dhe bosh.
Prisni…prisni…me shkakun vjen dhe pasoja…ndërsa bizneset heqin tavolinat, do të nisin dhe heqjet nga vendet punës…
Kamarierët, banakierët, kuzhinierët (për disa biznese), në një ditë të bukur me diell, me nga një urdhër do të nisin të largohen nga puna, sepse ambientet e brendshme të lokaleve në pedonale janë të vogla, tipike për një byrektore…jo për kafene!
Shumë prej këtyre bizneseve që sot po përplasin karriget në triçikël për t’i çuar në shtëpi a magazina, ishin të parët që votuan me zjarr për “zhvillimin”. Ja ku e keni zhvillimin, një shesh bosh, pa jetë, pa ekonomi.
Kështu që tani klientë e pronarë, mbyllni gojën dhe pini kafen shpejt e shpejt në këmbë, se në vend të kemi një qytet të gjallëruar, bëjmë të kundërtën ku pedonalja do të jetë një ekspozitë e mjerimit të planifikuar…
Qyteti s’është më për qytetarët, është për dekretet dhe rregulloret pa kokë, pa zemër, pa ndjesi nga LART!
Kur t’ju vijë ndërmend se si dikur qyteti zhurmonte nga zërat e njerëzve në kafene dhe aroma e kafesë që pihej jashtë në freski, kujtoni një gjë: E votuat? Tani mbajeni dhe mbylleni gojën…

