Korçë – Procedime penale për aksident rrugor, mallra pa fatura dhe mosbindje ndaj urdhrave të Policisë
Policia e qarkut Korçë ka njoftuar sot për disa procedime penale të nisura për shkelje të ndryshme ligjore, të evidentuara gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore.
Sipas komunikatës zyrtare:
- Në Maliq, B. L., 43 vjeç, është proceduar penalisht pasi automjeti që ai drejtonte u përplas me një tjetër automjet që drejtohej nga E. Ç., 64 vjeç, banues në Korçë. Si pasojë e përplasjes, 64-vjeçari ka marrë dëmtime të lehta.
- Në Korçë, S. T., 32 vjeç, është proceduar penalisht pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën mallra pa fatura shitjeje.
- Në Devoll, D. D., 35 vjeç, është proceduar penalisht pasi nuk iu bind urdhrit të një punonjësi të Policisë për të paraqitur dokumentacionin e automjetit që drejtonte.
Materialet për të tre rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Komunikata e plotë e Policisë së Korçës:
“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. L., 43 vjeç, banues në Maliq, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. Ç., 64 vjeç, banues në Korçë. Si pasojë është dëmtuar lehtë 64-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin S. T., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij janë konstatuar disa mallra, pa fatura shitjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin D. D., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të paraqitur dokumentacionin e mjetit.”

