Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngjarjes ka ndezur disa vatra zjarri në banesë, me qëllim për të humbur gjurmët.
Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytjeje dhe dëmtime me mjet prerës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur peshqirë dhe kartpeceta me gjak në koshin e mbeturinave pranë pallatit ku jetonte viktima. Dyshohet se ato janë përdorur nga autori për të fshirë gjurmët dhe për të pastruar vendin e krimit.
Lidhur me dinamikën e ngjarjes, dyshohet se autori fillimisht ka vrarë 52-vjeçaren, më pas ka fshirë gjakun duke pastruar vendin e krimit, dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë.
Këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë pallatit ku ndodhi krimi ka ndihmuar policinë të identifikojë dhe të shoqërojë Ilirjan Selmanin.
Për të dokumentuar dyshimet ndaj të riut nga Pogradeci, i cili dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën, policia e ka shoqëruar nga komisariati drejt banesës ku ndodhi krimi, për të kryer eksperimentin hetimor.
Autori i dyshuar i ngjarjes, pas daljes nga banesa, ka mohuar se ka kryer krimin. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të zbardhur motivin që e shtyu të riun nga Pogradeci të vriste partneren e tij.

