Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar eventi më i rëndësishëm sportiv në juglindje, Maratona Enkelana. Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë më shumë se 600 garues nga 40 vende të botës, të grupmoshave të ndryshme, në kategoritë 21 km dhe 11.5 km.
Të parët që prekën vijën e finishit në garën 11.5 km për meshkuj ishin në të njëjtën kohë francezët Fantini Leo dhe Eliott Pantel, ndërsa për femrat, fituese u shpall Kristina Pura.
Në garën 21 km, ukrainasi Bogdan Semenovych arriti të shkëputej ndjeshëm nga atletët e tjerë dhe mbërriti i pari në finish. Po ashtu, edhe ukrainasja Natalia Semenovych ishte e para në kategorinë për femra.
Përveç vrapimit, pjesë e maratonës ishin edhe kauza sociale. Një grup vrapuesish mbanin bluza me mbishkrimin “Free Palestine”, duke e kthyer pjesëmarrjen e tyre në një mesazh solidariteti. Njëri prej tyre deklaroi se “ky është një vrapim për jetën”.
Maratona Enkelana, e certifikuar ndërkombëtarisht, kishte pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet. Shumica e garuesve vinin nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Sipas organizatorëve, ky event promovon të gjithë Qarkun e Korçës, duke kthyer sportin në një urë bashkëpunimi dhe zhvillimi rajonal.

