Me hidhërim të thellë mësohet ndarja nga jeta e Jorgaq (Gaqo) Çyfekut, drejtues i një prej televizioneve të para private në vend, TV Pogradeci (ARV). Lajmi u bë publik nga mbesa e tij, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
Gaqo Çyfeku do të mbahet mend si një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm për zhvillimin e gazetarisë lokale në Pogradec dhe përtej. Me pasionin dhe vizionin e tij, ai hapi dyert e medias për dhjetëra të rinj që më pas ndërtuan karriera të suksesshme në televizionet kombëtare dhe rajonale. Si drejtues dhe themelues i TV Pogradeci, ai u bë një figurë kyçe në historinë e medias shqiptare të pas viteve ’90.
Pogradeci humbi sot një zë të hershëm e të guximshëm të fjalës së lirë.
U prehsh në paqe, Gaqo Çyfeku!
Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që ndanë me të punën, ëndrrat dhe dashurinë për qytetin dhe profesionin!

