Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Korçë, ku pas një kallëzimi për dëmtim prone, policia ka vënë në pranga vetë kallëzuesin, me dyshimin se ka ndërhyrë në pamjet e sigurisë për të penguar hetimin.
Më konkretisht, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 9 të qytetit të Korçës, ku shtetasi N. T., 46 vjeç, kishte kallëzuar në polici më 19 korrik 2025 se ishte thyer dera e lokalit të tij. Por hetimet e mëvonshme zbuluan një tjetër të vërtetë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Korçës:
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera mbi kallëzimin e bërë më datë 19.07.2025, nga shtetasi N. T., për thyerjen e derës së lokalit të tij, në lagjen nr. 9, Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin N. T., 46 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka fshirë pamjet e regjistruara nga DVR-ja e kamerës së sigurisë në lokalin e tij. Vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.”
Aktualisht, ndaj shtetasit në fjalë është ngritur akuza për pengim të drejtësisë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e manipulimit të pamjeve filmike.

