Pasi ngrita këtë vendimarrje që na parashtrohej në rrjetet e mia sociale dhe jo vetëm, u mundova të mblidhja ide e propozime nga qytetarët dhe ekspertët dhe këto i parashtrova sot në këshillin Bashkiak.
Këtë qasje do kisha shpresuar ta shihja edhe nga Bashkia Korçë: një konsultim i gjërë publik për të mos humbur mundësinë e investimit por duke nxjerrë më të mirën e këtij ndryshimi madhor në qytet.
Por ajo që gjetëm ishte një projekt i gatshëm I zgjedhur nga vetë kryeministri që nuk i linte hapësirë as Bashkisë Korçë dhe le më qytetarëve të vendosin për atë që do qëndrojë si stadium i qytetit për 100vitet e ardhshme. Një bindje e verbër dhe pa shumë pyetje nga Bashkia, maxhoranca e këshillit (disa nën zë pohonin “hajd se gjithësesi nuk do bëhet”) por dhe një pjesë e opozitës, që bën të vihet në pikëpyetje e ardhmja e këtij projekti:
Nga mosvlersimi i duhur i ish-pronarëve, nga zhdukja e pistës së atletikës, nga tjetërsimi i lulishteve publike në favor të ndërtimeve private që nuk harmonizohen aspak me zonën.
Një precedent i përfshirjes së koorporatës së investimeve që rrezikon instalimin e një praktike që shet publiken në favor të privates.
Votimi im kundert nuk ishte për stadiumin në vetvete sesa për të drejtën e mohuar që ne Korçarët të vendosim të ardhmen e Korçës.
Kur demokracia mohohet dhe vendimet imponohen nga lart, reagimi duhet të lindë nga poshtë. Jam i bindur që reagimi qytetar, që për çështje madhore si kjo nuk ka munguar, do bëjë të mundur nisjen e një procesi konsultimesh publike (pse jo dhe të një Asambleje Qytetare) që të mund ta bëjë këtë investim të nevojshëm edhe të pranueshëm.

