Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në Europë po ndodh në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit. Në fshatin piktoresk të Linit, arkeologët kanë zbuluar një vendbanim palafit që daton nga 8000 deri në 4000 vjet para erës sonë, duke e bërë atë vendbanimin më të hershëm të këtij lloji të identifikuar ndonjëherë në kontinent.
Gërmimet në zonën e Buqezës, të udhëhequra nga një ekip i përbashkët i Universitetit të Bernës në Zvicër dhe Institutit Shqiptar të Arkeologjisë, kanë nxjerrë në dritë struktura druri të ruajtura nën ujë, që dëshmojnë për një komunitet të lashtë që jetonte në harmoni me natyrën. Banorët e hershëm të këtij vendbanimi përdornin teknika të zhvilluara për kohën në bujqësi, blegtori, peshkim dhe gjueti, duke treguar një mënyrë jetese të qëndrueshme dhe të mirëorganizuar.
Ky projekt kërkimor ka marrë miratimin nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe, falë bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), zona tashmë është shpallur zyrtarisht si një zonë arkeologjike nënujore e mbrojtur.
“Lini është të paktën 500 vjet më i vjetër se çdo vendbanim i këtij lloji i zbuluar më parë në Itali apo Spanjë,” deklaroi profesori Albert Hafner nga Universiteti i Bernës, një nga drejtuesit e projektit.
Zbulimi i Linit përbën një arritje madhore për arkeologjinë europiane dhe një tjetër dëshmi e vlerave të mëdha kulturore dhe historike që mbart toka shqiptare.

