Në vendlindjen e poetit Skënder Rusi, këtë 15 korrik u organizua një mbrëmje letrare në nderim të figurës dhe veprës së tij, në përvjetorin e lindjes. Nën kujdesin e Bashkisë së Devollit, veprimtaria mblodhi familjarë, miq dhe dashamirës të fjalës së bukur, që rikthyen përmes kujtimeve figurën e lirikut të njohur devollian.
Në qendër të këtij aktiviteti ishte promovimi i vëllimit të tij të fundit poetik, “Ditët e mia pa ty”, një botim pas vdekjes që përmbledh ndjeshmërinë e një poeti që fliste me zemrën.
Në këtë mbrëmje nuk munguan kujtimet dhe reflektimet nga miqtë e afërt, mes tyre dhe pedagogu Ilir Shyta, i cili solli atmosferën e viteve të hershme në Bibliotekën e Korçës, ku Rusi shkruante dhe lexonte vargjet e tij të para.
Në emër të institucioneve vendore, kreu i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, vlerësoi rëndësinë që figura si Skënder Rusi të mos mbeten vetëm në kujtime, por të përcillen te brezat si pasuri kulturore.
Mbrëmja poetike ishte më shumë se një homazh, ishte një dëshmi e gjallë se poezia nuk vdes me autorin. Zëri i Skënder Rusit jeton përmes vargjeve të tij, që sot vazhdojnë të prekin ndjeshmërinë e lexuesit, me të njëjtën forcë si dikur. Poetët nuk ikin, ata mbeten aty ku shpirti i tyre është derdhur: në poezi.

