Pogradec – Këshilltari bashkiak shpërthen në kritika: “Mjaft me drejtorë me korrespondencë!”
Në një reagim publik në rrjetet sociale, këshilltari i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Arber Male, ka ngritur zërin ndaj mënyrës si po funksionojnë disa nga drejtuesit e bashkisë. Me tone të qarta kritike, ai kërkon largimin e atyre që, sipas tij, nuk kontribuojnë realisht për qytetin, por janë më shumë të përfshirë në interesa private.
“Mjaft me drejtorë me korenspondencë!
Pogradeci kërkon drejtorë me kohë të plotë që janë në gjendje t’i përgjigjen kërkesave dhe dinamikave që kërkon qyteti ynë.
Disa drejtorë që punën e Bashkisë e kanë vetëm për të përmirësuar bilancet e bizneseve private dhe jo cilësinë e jetës së qytetarit, duhet të largohen në interes të publikes.
Ka djem dhe vajza të përgatitur në Bashki të cilëve duhet t’iu jepet mundësia,” – shkruan Male.
Ky reagim vjen në një kohë kur në opinionin publik lokal është shtuar pakënaqësia për efikasitetin e administratës vendore dhe mungesën e përgjegjshmërisë në shërbimin ndaj qytetarëve. Mesazhi i drejtpërdrejtë i këshilltarit duket si një thirrje për pastrim dhe riorganizim të brendshëm në radhët e administratës bashkiake.

