Qyteti juglindor i Korçës u gjallërua këtë fundjavë me nisjen e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Mik Festival”, një ngjarje që tashmë është bërë traditë kulturore me peshë, nën drejtimin artistik të sopranos së mirënjohur Inva Mula.
Hapja e festivalit u shënua me një natë të veçantë kulturore shqiptaro-kineze, të parën e këtij lloji në Shqipëri, zhvilluar në ambientin e hanit të pazarit të Korçës.
Sopranoja kineze e njohur që mori pjesë në këtë mbrëmje performoi edhe këngë shqiptare, duke sjellë një ndjesi të rrallë ndërkulturore për publikun.Ndërsa pjesë e natës së parë ishte dhe një instrumentist me një nga instrumentet më të rralla që ekzistojnë vetëm në Kinë, në një performancë të veçantë përballë pianistit të njohur Genc Tukiqi.
Në katër ditë festival,janë planifikuar pesë koncerte, me ngjarjen kulmore në ditën e dytë — një koncert homazh për tenorin legjendar Gaqo Çako, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Ky koncert do të rikthejë në skenën shqiptare Tatjana Kora Elmazin, ndërsa do të performojë edhe tenori i njohur dhe ish-nxënësi i Çakos, Kastriot Tusha.

