Pogradec – Ndahet nga jeta Imami i xhamisë së fshatit Remenj, H. Hekuran Kasemllari
Myftinia e Pogradecit ka bërë me dije ndarjen nga jeta të imamit të nderuar të xhamisë së fshatit Remenj, H. Hekuran Kasemllari, në moshën 84-vjeçare. Ai ishte një ndër figurat e para që pas rënies së sistemit komunist iu rikthye misionit të shenjtë të shërbimit fetar islam në zonën e Pogradecit, duke i qëndruar besnik përkushtimit të tij deri në fund të jetës.
I lindur në vitin 1941 në qytetin e Pogradecit, H. Hekuran Kasemllari kaloi gjithë jetën në shërbim të fesë islame dhe komunitetit të besimtarëve. Si imam i emëruar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në xhaminë e fshatit Remenj, ai ushtroi detyrën me devotshmëri dhe përgjegjësi të lartë.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Myftinia Pogradec thuhet:
NJOFTIM
Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare, Imami i xhamisë të fshatit Remenj H. Hekuran Kasemllari, që i shërbeu xhamisë dhe Myftinisë Pogradec pas rënies së sistemit komunist.
H. Hekuran Kasemllari, i lindur në vitin 1941 në qytetin e Pogradecit, ku kaloi dhe jetën e tij në shërbim të fesë Islame.
Si imam i emëruar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në detyrën e imamit të xhamisë Remenj të Myftinisë Pogradec, detyrë të cilën e mbajti dhe e përmbushi me rigorozitet.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – Myftinia Pogradec i shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjarëve.
Lusim Allahun (xh.sh) që t’ia ketë falur gjynahet, ta mëshirojë dhe ta bëjë atë prej banorëve të xhenetit Firdeus! Amin!
Falja e namazit të xhenazes do të bëhet ditën e shtunë më 05 korrik 2025, në orën 11:00.
“Inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun…”
(Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi)
Figura të tilla janë dëshmi e gjallë e ringjalljes së jetës fetare në Shqipëri pas dekadave të represionit dhe mbeten përherë në kujtesën dhe mirënjohjen e komunitetit.

