Festivali “Serenatë mbi Liqen” përfundoi mbrëmjen e djeshme, duke lënë pas një atmosferë të mbushur me emocione, tinguj autentikë dhe kujtime të paharruara. Në skenën e Odeonit të Pogradecit u ngjitën emra të njohur dhe talente të rinj, të cilët sollën serenatën si një pasuri të gjallë të qytetit.
Alfons Zeneli, organizatori i këtij festivali që u zhvillua për herë të parë në Pogradec, u shpreh se ky është një aktivitet që bashkon të gjithë serenatistët dhe se synimi është që ai të kthehet në një traditë të përvitshme për qytetin liqenor, duke sjellë tingujt e muzikës qytetare pogradecare nga artistë të rinj dhe të vjetër.
Duke qenë se festivali këtë vit u zhvillua për herë të parë, kishte edhe emra të njohur të muzikës qytetare që nuk arritën të ishin të pranishëm. Por sipas Zenelit, në edicionet e ardhshme do të bëhet e mundur që të gjithë të kenë mundësinë të performojnë në skenën e serenatave.
Gjatë këtyre dy netëve, publiku përjetoi një mbrëmje të veçantë, ku serenatat e bukura pogradecare dëshmuan edhe një herë fuqinë e tyre për të bashkuar brezat dhe për të ruajtur traditën e pasur muzikore të qytetit.