Korça është kthyer në epiqendrën e Javës Kombëtare të Kulturës Franceze, e cila këtë vit i është dedikuar pikërisht këtij qyteti. Ambasadorja e Francës në Shqipëri zhvilloi një vizitë zyrtare në qytetin juglindor, ku theksoi lidhjet e hershme dhe të qëndrueshme mes Francës dhe Korçës, duke nënvizuar se qëllimi i kësaj jave është të ndërtojë ura bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen.
“Ne kemi vendosur t’ia dedikojmë Korçës këtë ngjarje me karakter kombëtar, si një dëshmi e marrëdhënieve tradicionale dhe të thella që kemi me këtë qytet. Përtej përmasës kulturore, kjo vizitë lidhet me projektet e bashkëpunimit territorial mes Bashkisë së Korçës dhe asaj të Chambery-t në Francë,” u shpreh ambasadorja franceze, duke falënderuar kryebashkiakun Sotiraq Filo dhe z. Thierry Repentin – ish ministër francez për Çështjet Evropiane – për angazhimin në këtë bashkëpunim dypalësh.
Ajo theksoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një qëndrim i rikonfirmuar edhe nga vetë Presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitave të tij në Tiranë. “Integrimi në BE nuk kalon vetëm nga politika, por edhe nga bashkëpunimi territorial, zhvillimi i qëndrueshëm dhe projektet që lidhin komunitetet tona,” shtoi ambasadorja.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Chambery-t, Thierry Repentin, e cilësoi pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet si një gjest të qëllimshëm për të rikonfirmuar se “Shqipëria është në Evropë dhe ne do ta shoqërojmë në procesin e anëtarësimit.”
“Kjo perspektivë ka mbështetje të plotë politike dhe institucionale në Francë. Marrëdhëniet mes institucioneve vendore janë kyçe për konkretizimin e projekteve që lidhen me kulturën, arsimin dhe zhvillimin,” tha ai, duke theksuar se afërsia gjeografike dhe prioritetet e përbashkëta kanë bërë që Chambery të zgjedhë Korçën si partnere në këtë rrugëtim.
Në fund, Repentin nënvizoi rëndësinë që ka përdorimi i teknologjive inovative në promovimin dhe zhvillimin e kulturës në kohët moderne, duke përmendur edhe projektet digjitale që po realizohen në kuadër të javës së kulturës në Korçë.