Ashtu siç ishte paralajmëruar, edhe këtë vit vija liqenore e Pogradecit është pushtuar nga plazhet private. Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë vetëm hotelet kanë pasur të drejtën të vendosin shezlongë, ndërsa qytetarëve të cilët ushtronin këtë veprimtari privatisht u është hequr kjo mundësi përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave. Ky ndryshim rregullash, në vend që të sjellë qartësi dhe barazi në përdorimin e hapësirës publike, ka thelluar ndjesinë e përjashtimit për Pogradecarët.
Përtej vijës bregliqenore, edhe parku i qytetit i vetmi mushkëri e gjelbër publike në zonën urbane, i është dhënë me qira bizneseve për të vendosur stenda, karrige dhe tavolina, duke e kthyer atë nga një hapësirë relaksi në një shtrirje të zgjatur të shërbimit tregtar.
Pogradeci duket sikur po privatizohet pak nga pak. Nga qershori në shtator, qytetarët janë të privuar nga përdorimi i lirë i hapësirave publike, ndërsa turistët ndeshen me një realitet ku natyra është bërë mall me pagesë. Pamja e përgjithshme e qytetit është ajo e një zone të tejngarkuar, artificiale, pa harmoninë që dikur e bënte Pogradecin të veçantë.
Kjo strategji e përvitshme, që i shërben më shumë interesave të disa bizneseve sesa interesit të përbashkët, kërkon rishikim të menjëhershëm. Nuk është çështje nostalgjie, por një nevojë thelbësore për të ruajtur karakterin publik të qytetit dhe për të mos e kthyer Pogradecin në një model të shfrytëzimit të paarsyeshëm të natyrës dhe hapësirës së përbashkët. Deri kur do të vazhdojë kjo logjikë përjashtuese? Dhe kush do të ketë guximin ta ndalë?