Devoll, 13 Qershor 2025 – Shërbimi Veterinar i Qarkut Korçë ka vendosur karantinë në një rreze prej 3 kilometrash në fshatrat Shuec, Rakickë dhe Zagradec, pas konstatimit të një vatre infeksioni me murtajë te bagëtitë e imëta të fermerit Florian Bode.
Katër ditë më parë, specialistët lokalë zbuluan shenjat fillestare të sëmundjes në tufën prej 170 krerësh të zotërisë Bode në Shuec. “Fermerit të prekur i kanë ngordhur 13 bagëti,” tha përgjegjësi i shërbimit, Demirali Latollari. Pas njoftimit të Shërbimit Veterinar të Korçës, ekipet kanë konfirmuar murtajën dhe kanë nisur menjëherë masat e asgjësimit të kafshëve të infektuara.
“Në një perimetër prej 3 km, është vendosur karantina veterinare, e cila ndalon lëvizjen e bagëtive nga kjo zonë,” shpjegoi Latollari. Deri më tani, kontrolli në ferma të tjera të qarkut nuk ka evidentuar vatra të reja infeksioni.
Autoritetet veterinare u bëjnë thirrje fermerëve të ruhen nga çdo lëvizje e paligjshme e kafshëve dhe të mos shesin apo blejnë bagëti në tregje gjatë kësaj periudhë. Sipas Latollarit, “murtaja e bagëtive përhapet shpejt tek bagëtitë e imëta, por nuk paraqet rrezik për përhapje te njerëzit dhe as te kafshët e tjera.”
Shërbimi Veterinar vijon monitorimin e situatës dhe apelon për bashkëpunim dhe respektim të rregullave të karantinës, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes.