Gjatë fushatës I vetmi që dukej optimist dhe punonte me zell për të mbërritur fitoren ishte vetëm Sali Berisha. Po shohim kohët e fundit se disa nga mbrojtësit më të zellshëm të tezës së farsës zgjedhore, janë pikërisht ata që ishin më të mefshtët në fushatë (pa zell, pa energji, pa vullnet dhe pa besim në fitore). E përthyer në terma konkretë dhe e zbritur lokalisht (sidomos në rastin e Pogradecit), teza e farsës është jo plotësisht e qëndrueshme. Përveç faktit shumë domethënës që opozita në tërësi u mor 3 vite e gjysëm vetëm me beteja të brendshme, ka një fakt tjetër shumë të rëndësishëm. Opozita, edhe lokalisht, të paktën në këto 3-4 vite, nuk ka të regjistruar asnjë betejë publike ku të ketë mbrojtur me sukses interesin e qytetarëve. A vjen kjo si pasojë e dobësisë së qendrës apo si pasojë e një keqkuptimi të madh? Cili është ky? Betejat politike janë sa kombëtare aq edhe lokale. Një opozitë lokale, duhet të synojë që të jetë zëri I qytetit dhe komunitetit të atyshëm. Vetëm kështu mund të fitojë besimin si një alternativë shpresëdhënëse. Sakaq, duke qenë se opozita lokale kishte probleme thellësisht të brendshme, teza e farsës elektorale bëhet relativisht e pabesueshme. Arsyet e humbjes janë edhe si pasojë e represionit të pushtetit (mjafton të përmendim arsimin dhe një nga përfaqësueset e saj për të kuptuar realitetin). Mirëpo, e vërteta duhet pranuar e tëra, përndryshe tezat bajate do vazhdojnë me të njëjtin refren sa herë ka zgjedhje.